30/10/2026
🇦🇱🇽🇰🇩🇰 DANIMARKË: GRATË SHQIPTARE BASHKOHEN – HAPI I PARË DREJT KRIJIMIT TË NJË RRJETI TË PËRBASHKËT
KOPENHAGË – Një nismë e rëndësishme për bashkimin, mbështetjen dhe fuqizimin e grave shqiptare në Danimarkë ka marrë jetë me organizimin e takimit të parë që synon krijimin e Rrjetit të Grave Shqiptare.
Takimi u organizua bashkërisht nga Misioni Konsullor i Republikës së Kosovës dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Danimarkë, me pjesëmarrjen edhe të ambasadorit të Maqedonisë së Veriut, z. Fadil Zendeli.
Aktiviteti u zhvillua në restorantin shqiptar “Për Ty” në Kopenhagë, në bashkëpronësi të dy grave sipërmarrëse shqiptare, Irda Ruçaj dhe Ganimete Berisha, të cilat përfaqësojnë një shembull të angazhimit dhe sipërmarrjes së suksesshme të grave shqiptare në diasporë.
Në një atmosferë miqësore dhe frymëzuese, pjesëmarrëset shkëmbyen ide, përvoja dhe propozime konkrete për forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e rolit të gruas shqiptare në jetën ekonomike, shoqërore dhe publike të Danimarkës.
Kjo nismë synon të krijojë ura bashkëpunimi mes grave shqiptare, pavarësisht nëse vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut apo trevat e tjera shqiptare.
Takimi shënon një hap të parë drejt krijimit të një platforme të përbashkët, ku gratë shqiptare mund të mbështesin njëra-tjetrën, të zhvillojnë iniciativa dhe të forcojnë lidhjet e komunitetit shqiptar në Danimarkë.
Një mesazh i bukur nga Kopenhaga: Bashkimi, solidariteti dhe fuqizimi i grave shqiptare nuk njohin kufij!
📰 ZËRI NEWS