02/08/2026
Kafeja - Mahmud Dervishi
Fillikat e përgatis kafenë dhe fillikat e gjerb.
Humbas nga jeta ime dhe jeta e të tjerëve…
humbas ekstazën…!!
Kafeja ka ngjyrën e tokës,
aromën e saj pas shiut të parë në feksin e parë të agsholit.
Kafeja nuk pihet me axhele
Kafeja është motra e kohës,
gjerbet ngadalë siç përgatitet ngadalë.
Kafeja është tingulli i shijes, tingulli i aromës së kaftë.
Kafeja është soditje,
ajo depërton në shpirt dhe në kujtime…
Kafeja është kjo heshtje e avashtë,
herët në mëngjes.
Kafeja është një femër e vetmuar:
Kafeja është e vetmja që të pret teksa e zgjedh me përtaci ujin,
në paqe me veten dhe sendet përreth.
Ti e derdh ngadalë në një xhezve të vogël bakri, e cila llamburit
mandej e vë mbi një zjarr të ulët,
ah sikur të ishte zjarr druri.
Kafeja është e vetmja, e cila s’të lë vetëm.
Bashkë me ujin, e zgjedh me përtesë,
në paqe të stisur me veten dhe sendet.
Kafeja është çelësi i ditës dhe hapi i saj i parë,
kur e përgatit me dy duart e tua,
jo kur të vjen në tabaka,
sepse mbajtësi i tabakasë,
mbart edhe fjalë,
dhe kafenë e parë,
e prishin fjalët e para.
Kafeja është virgjëresha e mëngjesit të heshtur dhe të pafund.
Kafeja ka ndikim magjik në rikthimin e kujtesës.
Kafeja është si dashuria; pak prej saj s’ta shuan etjen,
dhe shumë prej saj s’të ngop.
Kafeja është zgjim i kujtimeve të atyre që e kanë gjerbur me ne,
diku në një vend që buis mall.
Perktheu: Elmaz Fida