28/05/2026
Për nënën me karrocë në rrugë
Nëse shikoni një nënë me karrocë në rrugë, nuk është e papërgjegjshme, nuk është e çmendur, nuk është dembele të hipë karrocën në trotuar.
Është thjesht e dorëzuar.
E ka provuar që kur fëmija ishte një muajsh: me ditë, me javë, me muaj, ta mbrojë duke e ngritur karrocën në çdo shkallë 30 centimetra të trotuareve, ta zbresë me kujdes që të mos e rrëzojë, të mos e zgjojë kur fle, për ta hipur sërish pas 3 apo 4 metrash.
Nuk i harron herët kur është kthyer mbrapsht sepse një makinë kishte bllokuar fundin e trotuarit. Ka kërkuar me ngulm një rrugë të sigurt për fëmijën e saj.
Nuk e ka gjetur.
Jo për një ditë.
Jo për një javë.
Por për vite të tëra, çdo ditë.
Në fund u dorëzua.
Ecja në rrugë është protesta e saj e heshtur ndaj një shteti që nuk arrin të garantojë as minimumin: lëvizjen e sigurt të një fëmije.
Është protestë për sakrificat e përditshme të rritjes së një fëmije në një qytet që nuk është ndërtuar për fëmijë.
Protestë ndaj makinave që hipin mbi trotuar.
Ndaj atyre që bllokojnë vijat e bardha.
Ndaj trotuareve pa rampa.
Ndaj harresës që i është bërë çdo nëne dhe çdo fëmije.
Prandaj, para se të paragjykoni një nënë që ecën në rrugë, vendosuni në vendin e saj. Jo një herë, por çdo ditë për vite.
Provojeni vetëm një herë: merrni një karrocë dhe bëni një shëtitje të vetme në Tiranë.
Si aktivist që mbështes kauzën e trotuareve dhe lëvizjes së sigurt të fëmijëve, do të kërkoja vetëm një gjë:
Këtë protestë të heshtur individuale ta kthejmë në një lëvizje të zëshme.
Të bëhen bashkë qindra nëna dhe baballarë me karroca.
Të marshojnë çdo javë në rrugët pa trotuare.
Të organizohen në protesta paqësore përpara institucioneve që nuk garantojnë as një të drejtë kaq bazike: lëvizjen e sigurt të mijëra fëmijëve.
Vetëm kaq.
Ajo që nënat, baballarët dhe gjyshërit vuajnë çdo ditë me fëmijët në rrugë duhet të marrë fund.
Për këtë duhet qytetari që organizohet dhe vepron.
PS: Nëna në foto shoqëron një djalë me aftësi të kufizuara. Në shumë raste, ata detyrohen të bëjnë pjesën më të madhe të lëvizjes në rrugë, jo sepse duan, por sepse rampat mungojnë ose janë të bllokuara nga makina në gjithë qytetin.