03/14/2023
U festua 10-vjetori i Shoqatës “Kosova Lindore” në New York
Përvjetorët e festës së Kosovës Lindore në diasporë kanë një veçanti të bukur, janë dhe mjaft emocionale. Këtë mbresë morën të gjithë pjesëmarrësit e aktivitetit të organiozuar më 12 mars 2023 në lokalin “Maestro’s Caterers” në Bronx të New York-ut,
Ishte festa e përkujtimit të 10 vjetorit të themelimit të Shoqatës “Kosova Lindore” në Amerikë. Një festë ku gjeografia e shteteve pjesëmarës në të ishte mjaft e gjërë. Në këtë festë merrnin pjesë bashkatdhetarë që vinin nga shtetet: New Yorku, New Jersey, Pennsylvania dhe Connecticut. Në jetën e një shoqate, 10 vite veprimtari, janë të rëndësishme, për kontributin për çështje kombëtare dhe kulturore.
Me tingujt e muzikës, mes fëmijëve, grave dhe bashkatdhetarëve nga Lugina e Preshevës (Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë), por edhe pjesëtarë edhe nga të gjithë viset shqiptare, u organizua një event mbresëlënës. Ishte një festë e vërtetë, e programuar, si për anën dekorative të mjedisit ashtu edhe për përmbajtjen e kësaj feste. Salla ishte stolisur me balona në çdo tavolinë. Në hyrje të sallës kryetarja e Shoqatës, Teuta Ahmedi, me buzëqeshje dhuronte te dera nga një buqetë lulesh, për gratë pjesëmarrëse, që rastiste edhe me 8 Marsin, Ditën e Gruas.
Në të u kujtuan vitet, fillimet e kësaj Shoqate, aktivitetet që ajo ka organizuar në vite, ndihmën që ajo ka dhënë për vendlindjen.
U kaluan disa orë në një atmosferë të bukur festive, gati familjare. Teuta Ahmedi, një aktiviste e njohur në komunitetin shqiptaro-amerikanë, shpalosi historinë 10-vjeçare të kësaj shoqate, e cila i mbledh emigrantët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, që gjeografikisht, janë shpërndarë anembanë SHBA.
Kemi nevojë shumë për festa të tilla që të zgjojnë jo vetëm kujtimet e së kaluarës, po që forcojnë edhe identitetin e krahinës së Kosovës Lindore në diasporë aq më tepër në një vend që ka ndihmuar e ndihmon në zhvillimet politike të kombit tonë.